Belina Pupa ka thyer heshtjen pas akuzave të rënda që janë ngritur ndaj saj dhe bashkëshortit të saj, aktorit Elvis Pupa, për kultivim të bimëve narkotike dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik në një pronë në Australi.
Në një deklaratë për “Dritare TV”, terapistja dhe influencuesja e njohur u shpreh se prona ku janë gjetur 43 bimë kanabisi është në emrin e saj, por është dhënë me qira dhe nuk ka pasur dijeni për aktivitetin e dyshuar.
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet – për arsye hetimi në radhë të parë, por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë,” – tha ajo.
Për sa i përket arratisjes së supozuar të bashkëshortit të saj, Elvis Pupa, i cili sipas autoriteteve australiane është larguar nga vendi dhe aktualisht është në kërkim, Belina zgjodhi të mos japë asnjë koment.
Sipas mediave australiane, ngjarja e dyshuar është zbuluar në një pronë në Ascot Park, ku policia ka gjetur një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, duke e klasifikuar rastin si “kultivim me përmasa të konsiderueshme”.
Pavarësisht tronditjes që ka shkaktuar kjo çështje në publik dhe sidomos në komunitetin shqiptar të diasporës, Belina Pupa mbetet në pritje të zbardhjes së fakteve, ndërkohë që çështja vijon të jetë në hetim gjyqësor.






