Pas zhvillimeve të fundit në spektaklin “Ferma VIP”, këngëtarja e njohur Vesa Luma ka reaguar ashpër përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale, duke dënuar sjelljen e Big Mames ndaj bashkëshortit të saj, Big Bastës.
“Ju falenderojmë të gjithëve për mesazhet,” – shkruan Vesa në fillim të reagimit të saj, për të vijuar më tej me një deklaratë të prerë:
“E ndoqa live gjithë situatën dhe e them me plot gojë që ishte jo vetëm dëshpëruese, por çnjerëzore nga ana e Big Mames.”
Duke u ndalur te thelbi i konfliktit, ajo theksoi se Big Mama ka shkelur një kufi moral dhe njerëzor:
“Kur prek familjen dhe fëmijën pa lejen tonë, atëherë nuk është më lojë, por bëhet personale.”
Vesa kërkoi përjashtimin e menjëhershëm të Big Mames nga formati, duke e konsideruar incidentin si një cënim të rëndë të rregullave dhe etikës së programit.
Më tej, ajo ndau mesazhin e saj mbi arsyen e pjesëmarrjes së Big Bastës në këtë reality show:
“Ka hyrë për të luftuar injorancën dhe stereotipet që kanë zënë frymën e vendit. Për të dhënë një shembull për djalin e tij dhe për gjithë rininë shqiptare – nëse ka mbetur ndonjë pikë shprese.”
Reagimin e saj emocional, Vesa e përmbylli me një thirrje për solidaritet dhe mbështetje:
“Këtë rrugë duhet ta çojë deri në fund bashkë me të gjithë ju që i keni dhënë mbështetje pafund deri tani.”
Ky reagim ka ngjallur menjëherë reagime të shumta në rrjet, teksa publiku pret me kuriozitet nëse do të ketë ndonjë vendim nga produksioni i “Ferma VIP” pas kësaj përplasjeje të fortë.







