Situata brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova është tensionuar ndjeshëm ditët e fundit, me në qendër banorin Eduard Kuçi. Gjatë festës së ditëlindjes së Dolces, një përplasje e fortë mes Edit dhe Fjolla Morinës prishi atmosferën festive. Familja e Edit reagoi publikisht, duke e akuzuar Fjollën për ofendime të rënda dhe gjuhë denigruese ndaj tij, ndërsa kërkoi që produksioni të marrë masa për këtë sjellje, e cilësuar si shkelje e dinjitetit njerëzor. Sipas familjes, Edi zgjodhi të reagojë me qetësi për të mos përshkallëzuar situatën.
Paralelisht me këtë incident, raporti mes Edit dhe Dolces duket se ka hyrë në një krizë serioze. Edi ka shprehur hapur shqetësimin e tij, duke thënë se pas rikthimit të Dolces nga “Grande Fratello” ka vërejtur një ftohje dhe distancë në sjelljen e saj. Ai përmendi edhe disa veprime që i ka interpretuar si nevojë për privatësi dhe largim emocional.
Tensionet mes tyre pritet të kulmojnë në spektakël, ku Edi dhe Dolce do të përballen drejtpërdrejt, ndërsa Edi do të njihet me rrëfimet që Dolce ka bërë më herët në “Grande Fratello”. Ky përballim shihet si një pikë kthese që mund të ndikojë jo vetëm në marrëdhënien e tyre, por edhe në dinamikën e gjithë shtëpisë.
Ngjarjet e fundit kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke e kthyer Edit, Dolcen dhe përplasjen me Fjollën në temat më të komentuara të BBVK-së.
