Moderatorja e njohur Kiara Tito ishte e ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rapin dhe Elona Duron në Top Albania Radio, ku ndau detaje të reja rreth karrierës së saj, jetës familjare dhe projekteve të ardhshme.
Gjatë intervistës, Salsano e pyeti nëse ka qeshur më shumë me Luizin në fillim të Big Brother VIP apo tani.
“Po, në fillim qeshnim shumë, por tani kemi edhe zënka,” pranoi Kiara.
Për pyetjen se për çfarë zihen më së shumti, ajo përgjigjet: “Po, si të gjithë çiftet…”
Salsano kërkoi gjithashtu të dijë nëse Luizi i ndihmon me Lunën, si dhe nëse Kiara është natyrë xheloze. Moderatorja u përgjigj me sinqeritet:
“Nuk jam natyrë xheloze. Kam thënë më parë që nuk më pëlqen të fus veten në atë stres, sepse xhelozia dhe fiksimi nuk bëjnë mirë. Në një moment mund të prishet gjithçka, edhe bëhesh e bezdisshme për dikë, por më keq akoma je ti me veten kur ndryshon për shkak të xhelozisë.”
Sa i përket nivelit të xhelozisë në marrëdhënien e tyre, Kiara tha: “Jo, kemi arritur të njohim mirë njëri-tjetrin dhe nuk i kushtojmë rëndësi kësaj. Përqendrohemi tek goca, projektet dhe gjërat më të rëndësishme.”
Në fund, Salsano e pyeti nëse vazhdon të flasë për Big Brother VIP tani kur takohet me miqtë.
“Unë kam qenë stratege,” tha Kiara me shaka. “Por nuk më pëlqen të rikujtoj atë periudhë apo të flas për atë që ka kaluar. Më duket sikur mbetesh në vend, si të ishe ende brenda Big Brother-it, kur jeta është përpara.”






