Familja e Albës ka vendosur të thyejë heshtjen përmes një reagimi publik në Instagram, pas debateve dhe komenteve të shumta që kanë shpërthyer rreth lojës së saj në formatin Big Brother.
Në një deklaratë të gjatë dhe të ndjerë, familjarët shprehin mbështetje të plotë dhe të palëkundur për Albën, duke theksuar se ajo po shfaqet ashtu siç është në realitet – e sinqertë, autentike dhe pa maska. Sipas tyre, Alba është 100 për qind vetvetja në çdo situatë që po përjeton brenda shtëpisë.
Familja nënvizon se çdo vendim që Alba merr do të respektohet dhe mbështetet, pavarësisht mënyrës se si ka rrjedhur loja apo perceptimit të publikut.
Në reagim, konsiderohet e padrejtë dhe absurde që publiku të gjykojë situata personale të ndodhura brenda një formati që nuk ka karakter edukativ, duke kujtuar se situata të ngjashme ndodhin çdo ditë edhe në jetën reale.
Apeli i familjes shkon për më shumë empati dhe mirëkuptim, duke theksuar se askush nuk mund ta njohë plotësisht realitetin emocional të personave që po i përjetojnë këto situata nga brenda.
“Çdo familje ka individë që gabojnë, që përballen me vështirësi dhe emocione të forta, por askush nuk ka të drejtë të gjykojë mënyrën se si dikush zgjedh ta jetojë jetën e vet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Familja dënon ashpër komentet fyese, bullizuese dhe denigruese në rrjete sociale, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë vlerat e një shoqërie të shëndetshme dhe se secili duhet të marrë përgjegjësi për fjalët që përdor.
Gjithashtu, theksohet se Alba nuk i jep llogari askujt për jetën e saj personale dhe se, edhe pse tradhtia dhe dhuna ekzistojnë edhe jashtë formatit, ato nuk duhet të normalizohen apo justifikohen.
Në fund, familja falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur Albën gjatë këtij rrugëtimi, duke i konsideruar si forcën dhe motivimin kryesor që e kanë çuar atë deri në finale.
“Ju jeni arsyeja pse Alba është në finale”, përfundon mesazhi.






