Rita Ora mbështet publikisht Bebe Rexhën, promovon këngën e saj “Çike Çike”

Mbështetja mes artisteve shqiptare në skenën ndërkombëtare vazhdon të jetë e fortë. Rita Ora ka ndarë në InstaStory një postim të koleges së saj Bebe Rexha, duke promovuar këngën e saj më të re me titull “Çike Çike”.

Kënga është publikuar sot dhe ka zgjuar menjëherë interes, pasi do të përfshijë edhe vargje në gjuhën shqipe – një element i rrallë në repertorin ndërkombëtar të Bebe Rexhës. “Çike Çike” është një projekt me ritme energjike, i frymëzuar nga pop-i modern me elemente dance dhe ndikime ballkanike, duke sjellë një kombinim mes identitetit të saj shqiptar dhe stilit global që e ka bërë të famshme.

Ky projekt vjen si paralajmërim i albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”, i cili pritet të publikohet në muajt në vijim. Albumi është përshkruar nga vetë artistja si më personal dhe më i guximshëm në aspektin artistik, duke eksploruar tema të vetëbesimit, identitetit dhe fuqizimit.

Marrëdhënia e mirë mes Rita Orës dhe Bebe Rexhës është komentuar shpesh nga fansat, të cilët shpresojnë edhe për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen. Për momentin, vëmendja është e gjitha te “Çike Çike”, që premton të jetë një nga surprizat më të veçanta të këtij sezoni muzikor.

Të fundit