Afrimiteti mes Vanesës dhe Indrit në “Ferma VIP” po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut dhe rrjeteve sociale. Në episodet e fundit, dyshja është shfaqur mjaft e afërt, duke ndarë momente intime si përqafime, puthje dhe biseda emocionale. Kjo lidhje ka surprizuar jo pak, sidomos pas deklaratës së mëhershme të Indrit, i cili kishte shprehur hezitim për të nisur diçka brenda fermës, edhe pse pranonte tërheqjen ndaj saj.
Ndërkohë që fansat duket se e kanë mirëpritur këtë zhvillim, një detaj tjetër ka ngritur pikëpyetje. Në profilin zyrtar të Vanesës në Instagram, i menaxhuar nga familjarët e saj gjatë kohës që ajo është pjesë e spektaklit, nuk ka asnjë postim apo reagim që lidhet me Indrin. Postimet fokusohen vetëm te momentet individuale të saj, duke lënë jashtë çdo përmbajtje që lidhet me këtë romancë.
Kjo mungesë reagimi ka nxitur diskutime mes ndjekësve, të cilët e shohin si një shenjë të mundshme distance nga ana e familjes. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë deklaratë zyrtare që të sqarojë qëndrimin e tyre për marrëdhënien e krijuar brenda formatit.
Duke pasur parasysh edhe faktin që Vanesa ka përmendur më herët një lidhje jashtë programit, mbetet për t’u parë se si do të ndikojë kjo situatë në jetën e saj personale pas përfundimit të spektaklit. Ndërkohë, vëmendja ndaj çiftit vazhdon të rritet dhe zhvillimet e ardhshme priten me interes të lartë nga publiku.






