Situatë e papritur sot në shtëpinë e Big Brother VIP 5. Vëllai i Madh ka dërguar një zarf të zi, duke tronditur banorët dhe publikun, ndërsa vendimi i marrë ka sjellë pasoja direkte në lojë.
Shkak për këtë zhvillim është bërë mosbindja e grupit të Gretës, i cili refuzoi të merrte pjesë në provat për sfidën e kërcimit. Pas rënies së gongut që paralajmëronte nisjen e provave, Baby G deklaroi se fillimisht do të përgatiste ushqimin dhe më pas do t’i bashkohej grupit, gjë që ndezi debat mes banorëve dhe çoi në vonesa.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Vëllai i Madh, grupi i Gretës nuk iu bind urdhrit për të nisur menjëherë provat, duke e detyruar produksionin të marrë një vendim drastik.
Si pasojë, televotimi aktual është anuluar, ndërsa masat ndëshkuese për grupin që nuk iu bind rregullave do të bëhen të ditura gjatë Prime-it të së martës.
Nga ana tjetër, grupi i Selin është shpallur automatikisht fitues i sfidës së kërcimit dhe do të performojë live gjatë spektaklit të madh.
Në zarfin e zi, Vëllai i Madh thekson qartë se autoriteti i tij nuk mund të anashkalohet dhe se çdo mosbindje ndaj urdhrave sjell pasoja të drejtpërdrejta për banorët.
Ky vendim ka ndezur menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit po diskutojnë ashpër nëse ndëshkimi ishte i drejtë apo tepër i ashpër.






