Këngëtarja e njohur Elsa Lila ka hedhur akuza të forta publike ndaj artistes Albina Kelmendi, lidhur me rezultatet e Festivalit të 61-të të RTSH-së, ku kënga “Duje” fitoi të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmbrëma Yje”, Elsa Lila deklaroi se votat e publikut janë manipuluar, duke lënë të kuptohet se Albina dhe familja e saj Kelmendi kanë përfituar padrejtësisht fitoren në garën për përfaqësimin në Eurovision.
“Ju mendoni që m’u dha haku që meritoja? Mendoj që jo. Ç’publik?”, – u shpreh ajo gjatë intervistës, duke shtuar:
“Kemi prova të shumta empirike dhe fizike që tregojnë se votat janë blerë. Pafund.”
Elsa, e cila u rikthye në festival pas 25 vitesh mungesë, theksoi se kishte prova të mjaftueshme për të çuar çështjen në gjykatë, por zgjodhi të mos e bënte, për të mos e kthyer situatën në një skandal mediatik.
“Jam mësuar të merrem me punën time dhe jo me polemika. Unë jam Elsa, di të bëj atë që bëj. Jam e ndershme, dhe historia tregoi që unë nuk i vodha votat — dikush tjetër i bëri”, – shtoi ajo.
Në mënyrë indirekte, këngëtarja përmendi se Albina Kelmendi ishte dikur pjesë e skuadrës së saj në The Voice of Albania (2014), ku kishte zënë vendin e dytë, duke lënë të kuptohet se “njeriu që ajo ndihmoi dikur” tani i kishte kthyer kurrizin.
“E bëra me duart e mia në vitin 2014, me diturinë dhe artin tim. I njëjti person. Të kenë kujdes nga gjykatat sepse funksionojnë kur duan. Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë”, – përfundoi Elsa me tone të forta.
Deklaratat e saj kanë ndezur menjëherë rrjetet sociale, me fansa të ndarë në dy kampe — ata që mbështesin Elsen për sinqeritetin dhe guximin, dhe ata që mendojnë se kjo është thjesht një polemikë e vonuar për një garë tashmë të mbyllur.






