Pas largimit të papritur nga “Big Brother VIP Albania 5”, Stine ka folur për herë të parë hapur mbi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Në një intervistë për “Big Brother Radio” me Elona Duron, këngëtari rrëfeu se gjithçka lidhej me një proces të brendshëm personal dhe emocional.
Në Prime-in e 10 janarit, Stine befasoi publikun kur deklaroi se nuk ndiente më dëshirën për të vazhduar lojën, duke theksuar se motivi për të cilin kishte hyrë në shtëpi nuk ekzistonte më. Ai u shpreh se nuk e ndiente më veten pjesë të formatit dhe se përjetonte ndjesinë e të qenit “në vendin e gabuar”.
“Hyra për të luajtur, por kur humbet dëshira për lojën, gjithçka tjetër bie. U përpoqa të përshtatesha, por nuk funksionoi. Vendimi ishte plotësisht i imi dhe nuk kishte lidhje me asnjë banor apo situatë tjetër,” u shpreh ai.
Pas daljes nga shtëpia, Stine zgjodhi të qëndronte larg mediave, por në këtë intervistë zbuloi se familja ka qenë arsyeja kryesore që e shtyu të largohej.
“Jam i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur. Familja është mbi gjithçka,” tha ai, duke shtuar se vendimi nuk ka qenë i nxituar, por i marrë me qetësi dhe reflektim.
Këngëtari sqaroi gjithashtu se nuk ka asnjë konflikt me produksionin apo me banorët e tjerë të shtëpisë dhe se largimi ishte thjesht një nevojë personale për të respektuar veten dhe ndjenjat e tij.
“Në fund të ditës jemi njerëz. Bëjmë zgjedhje, ndonjëherë edhe gabime. E rëndësishme është të jesh në paqe me veten,” përfundoi Stine.






