Reperi i njohur Stresi është tërhequr përkohësisht nga jeta e zhurmshme e përditshme dhe ka zgjedhur jugun e Shqipërisë si vendin ideal për t’u izoluar dhe për t’u fokusuar vetëm në krijimtarinë e tij muzikore. Në këtë periudhë “karantinimi artistik”, ai po punon intensivisht në disa projekte të reja.
Dhe frymëzimi për këto këngë — sipas vetë Stresit — vjen nga një person shumë i rëndësishëm në të shkuarën e tij: Keisi.
Ish-partnerja e tij ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale një pjesë të bisedës private në WhatsApp me reperin, duke treguar marrëdhënien e mirë që ata vazhdojnë të ruajnë edhe pas ndarjes. Në chat shihet se Stresi i ka dërguar tre demo të reja muzikore, të cilat, siç i shkruan ai vetë, janë frymëzuar krejtësisht nga ajo:
“Tek të 3-ja këngët më ke frymëzu,” i thotë ai.
Keisi e ka pritur situatën me humor, duke i kthyer se në njërën prej këngëve madje ka dëgjuar edhe emrin e saj, duke nënkuptuar se Stresi ka bërë një dedikim të hapur.
Kjo bisedë tregon se pavarësisht se nuk janë më çift, dyshja vazhdojnë të mbeten miq të afërt dhe me respekt të ndërsjellë. Tani fansat presin publikimin e këngëve për të zbuluar se çfarë ka shkruar Stresi, i mbushur me inspirim nga historia e tyre.







