Të shtëna me armë drejt vilës së Rihanna-s në LA, këngëtarja ndodhej brenda shtëpisë

Vila luksoze e superyllit të muzikës pop Rihanna në Los Angeles është bërë objekt i të shtënave me armë zjarri të dielën, ndërsa artistja ndodhej brenda banesës së saj. Sipas raportimeve të mediave amerikane, fatmirësisht nga incidenti nuk ka pasur të lënduar.

Autoritetet lokale reaguan rreth orës 13:21, pasi u raportua se një person nga një automjet i ndaluar përballë portës së rezidencës në zonën e Beverly Hills kishte qëlluar disa herë drejt pronës. Dyshohet se janë shkrepur rreth dhjetë plumba dhe të paktën një prej tyre ka depërtuar në murin e banesës ku këngëtarja jeton së bashku me partnerin e saj A$AP Rocky dhe fëmijët e tyre.

Policia e Los Angeles Police Department ka bërë të ditur se një grua 30-vjeçare është ndaluar si e dyshuar për ngjarjen. Sipas informacioneve fillestare nga komunikimet policore, të shtënat dyshohet se janë kryer nga një makinë në lëvizje.

Hetuesit po punojnë për të zbuluar motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të incidentit.

Të fundit