Pas deklaratës që bëri xhiron e rrjetit, aktori dhe sipërmarrësi Ermal Mamaqi ka vendosur të sqarojë fjalinë e tij të shumëpërfolur “Njerëzit që janë të varfër, e meritojnë të jenë të tillë”.
Në një intervistë për emisionin “Goca dhe Gra”, Mamaqi tha se fjalia është keqkuptuar dhe se ajo lidhet më shumë me zgjedhjet personale dhe mentalitetin e dembelisë, sesa me aspektin ekonomik të varfërisë.
“Kush punon 12 orë nuk është i varfër. Unë i referohem disa formave të dembelizmit. Nëse je 40 vjeç dhe nuk bën asgjë për t’u përmirësuar, atëherë po, e meriton statusin ku je,” – u shpreh Mamaqi.
Sipas tij, varfëria nuk lidhet vetëm me mungesën e parave, por me mungesën e iniciativës dhe mentalitetin e viktimës. Ai theksoi se askush nuk e meriton varfërinë nga ana njerëzore, por “nga ana praktike, merr atë që ke programuar dhe toleruar”.
Mamaqi paralajmëroi gjithashtu se robotët dhe automatizimi po zëvendësojnë shumë profesione, duke bërë thirrje që njerëzit të ngrihen e të ndryshojnë mënyrën si mendojnë dhe veprojnë.
“Çohu dhe bëj diçka! Sepse shumë shpejt robotët do të na zënë vendin. Ne marrim atë që tolerojmë,” – tha ai, duke shtuar konceptin e tij të preferuar “zero-based thinking”:
“Nëse do ta nisej nga zero, a do e bëja sërish këtë që po bëj sot?”






