Neda Balluku ka rikthyer sërish vëmendjen e publikut pas ndarjes së bujshme nga ish-bashkëshorti i saj, Ogren Balluku. Ish-banorja e “Big Brother” ka publikuar së fundmi në Instagram një mesazh të fortë, i cili u interpretua gjerësisht si një reagim indirekt ndaj situatës së tensionuar mes tyre, por që u fshi pak më vonë.
Teksti i shfaqur në foton e publikuar ishte:
“Se çfarë është një burrë i vërtetë e di çdo grua. Ti çfarë burri je?”
Ky mesazh vjen në një moment delikat, ku marrëdhënia mes dy ish-partnerëve ka kaluar nga një krizë familjare në një përplasje të hapur ligjore. Reagimi i Nedës duket si një përgjigje e heshtur ndaj akuzave të ngritura ndaj saj nga ish-bashkëshorti.
Sipas raportimeve në media, Ogren Balluku ka depozituar në gjykatë një kërkesë për urdhër-mbrojtje, duke pretenduar se ka qenë subjekt i dhunës verbale dhe psikologjike, si edhe sjellje të papërshtatshme gjatë konflikteve mes tyre, disa prej të cilave thuhet se kanë ndodhur në prani të fëmijëve.
Aktualisht, çështja është në shqyrtim nga organet e drejtësisë, ndërsa historia e Nedës dhe Ogrenit vazhdon të jetë një nga temat më të komentuara në median rozë.






