Tirana është përfshirë sot nga atmosfera festive e Ditës së Verës, me një program të pasur aktivitetesh të organizuara në disa nga pikat kryesore të kryeqytetit. Sipas kalendarit të publikuar, qyteti mirëpret evente kulturore, artistike, sportive dhe gastronomike, duke e kthyer 14 marsin në një festë për të gjitha grupmoshat.
Festimet nisën që në mbrëmjen e 13 marsit me një festë elektronike në Parkun Europa, pranë Sheshit Skënderbej. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, në Sheshin Skënderbej janë parashikuar instalacione artistike, makina retro të dekoruara me lule, muzikë live dhe hapësira relaksi me ushqime e pije.
Programi përfshin edhe koncert festiv në Parkun Europa, aktivitete të industrisë kreative, si dhe eventin “Putra në Festë” në pedonalen “Murat Toptani”, i fokusuar te ndërgjegjësimi për kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake. Në bulevardin përballë instalacionit “Reja” po zhvillohet Artisan Fest me stenda artizanale, ndërsa në “Dëshmorët e Kombit” qytetarët mund të ndjekin Food Festival me ushqime tradicionale shqiptare dhe aktivitete për fëmijë.
Pjesë e festimeve janë edhe Sport Zone nga Piramida drejt Kryeministrisë, Garage Sale në Parkun Rinia, panairi i luleve “Lule të bukura ka Tirona”, zona e biçikletave pranë Pallatit të Kongreseve dhe aktivitetet edukative për sigurinë rrugore në Sheshin Nënë Tereza. Festa pritet të kulmojë me një Street Party në zonën e Ish-Bllokut, që do të vijojë deri në mesnatë.
