Adhuruesit e familjeve mbretërore janë emocionuar nga lajmi më i fundit që vjen nga Shqipëria: Princi Leka II ka zyrtarizuar fejesën me të dashurën e tij, Blerta Celibashi.
Pas publikimit të videove nga momenti romantik i propozimit dhe fotografive elegante të çiftit, revista prestigjioze HELLO! i ka kushtuar një artikull të veçantë këtij lajmi, duke u ndalur veçanërisht te unaza e fejesës së Blertës.
Në fotot e shpërndara, Blerta shfaqet me një fustan saten në ngjyrë fildishi, ndërsa rrezaton lumturi dhe elegancë teksa tregon unazën mahnitëse me diamant.
Sipas ekspertëve të bizhuterive, unaza ka një vlerë që shkon deri në 140 mijë euro, duke e bërë një nga më të kushtueshmet mes fejesave mbretërore të viteve të fundit.
Nilesh Rakholia, themelues i markës “Abelini”, e përshkroi dizajnin e unazës si “mbretëror dhe i përjetshëm”. Ai shpjegoi se diamanti, me formë ovale ose “cushion cut”, përfaqëson harmoni dhe dashuri të qëndrueshme – simbolika që i përshtatet në mënyrë të përkryer një princeshe moderne.
“Është një dizajn klasik dhe bashkëkohor njëkohësisht. Diamanti i zgjatur tërheq vëmendjen, ndërsa detajet e holla i japin shkëlqimin e duhur pa e mbingarkuar,” – theksoi Rakholia për HELLO!.
Eksperti shtoi se unaza e Blertës pasqyron trendin e ri të fejesave mes personaliteteve publike, ku eleganca, domethënia dhe personalizimi vijnë para madhështisë.
“Një unazë romantike, e rafinuar dhe me stil që nuk do të dalë kurrë nga moda,” – përfundoi ai.
Lajmi vjen vetëm një vit pas ndarjes së Princ Lekës nga Elia Zaharia, ndërsa çifti Leka dhe Blerta e bënë publike lidhjen e tyre në shtator të vitit 2024.







