Pas një periudhe me komente të shumta në rrjet lidhur me performancat e saj, këngëtarja Egli Tako është rikthyer në qendër të vëmendjes përmes një koncerti të mbajtur së fundmi në Drenicë.
Egli, e njohur për vokalin e fuqishëm dhe energjinë në skenë, u paraqit kësaj here me një performancë të ngarkuar emocionalisht, ku interpretoi këngën “A vritet pafajësia”, e mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar. Interpretimi i saj u prit me duartrokitje të zjarrta nga publiku, duke sjellë një atmosferë solemne dhe patriotike.
Ky koncert vjen pas debatit që u ngrit në rrjet lidhur me një paraqitje të mëparshme të saj gjatë interpretimit të këngës “Mora fjalë”, ku një pjesë e ndjekësve kritikuan veshjen si të papërshtatshme për një këngë me përmbajtje patriotike. Në Drenicë, Egli zgjodhi një qasje më të matur dhe të përmbajtur, duke i dhënë më shumë theks simbolikës kombëtare.
Një moment që mori vëmendje të veçantë në rrjete sociale ishte hyrja e saj në skenë, ku ajo nisi me një thirrje që zakonisht dëgjohet në stadiume: “Serbi, Serbi…”, duke nxitur përgjigjen e publikut me brohoritjen e njohur “Q**sha motrën!”. Kjo skenë u përsërit disa herë gjatë natës dhe u përhap me shpejtësi në TikTok dhe Instagram, duke ndezur reagime të shumta.
Përmes një postimi në Instagram pas koncertit, Egli shprehu mirënjohje për publikun e Drenicës dhe zbuloi se prej tre muajsh ka qenë nën trajtim për një dëmtim në kordat vokale. Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave shëndetësore, vazhdon të këndojë me shpirt, veçanërisht kur bëhet fjalë për këngët e vendit të saj.
Koncerti në Drenicë jo vetëm e riktheu Egli Takon në qendër të diskutimeve për vokalin dhe energjinë skenike, por edhe për mesazhin dhe ndjeshmërinë që përcolli në këtë dalje publike.






