Një zhvillim i ri ka ndodhur në procesin gjyqësor ndaj terapistes dhe influencueses shqiptare Belina Pupa, e cila prej muajsh është përballur me akuza në Australi.
Sipas dokumenteve zyrtare nga Gjykata e Magjistraturës në Adelaide, njëra nga akuzat ndaj saj – ajo për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në Ascot Park – është pushuar zyrtarisht.
Kjo do të thotë se nuk ka vendim për fajësi dhe as dënim në lidhje me këtë çështje.
Megjithatë, procesi ndaj Pupës ende nuk ka përfunduar, pasi një tjetër akuzë që lidhet me ndërhyrjen e paautorizuar në furnizimin elektrik mbetet në shqyrtim.
Seanca e radhës është planifikuar për 25 nëntor 2025 në Gjykatën e Adelaide.
Sipas dokumenteve, ngjarjet e përmendura dyshohet të kenë ndodhur gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025.
Belina ka sqaruar se gjithçka lidhet me një pronë të dhënë me qira, por e regjistruar në emrin e saj, duke kërkuar që publiku të presë mbylljen e procesit për qartësi të plotë.
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Nuk mund të komentoj më shumë derisa çështja të mbyllet. Faleminderit që pyetët përpara se të shpërndani lajme të shtrembëruara,” – është shprehur Belina Pupa.
Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj, aktori Elvis Pupa, ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve mediatike që kanë qarkulluar rreth tyre.
Ai ka sqaruar se ndodhet në Tiranë, duke zhvilluar projekte profesionale, dhe ka mohuar çdo pretendim për “arratisje” apo “kërkim ndërkombëtar”.
“Fatkeqësisht kemi parë keqpërdorim të lajmit për sensacionalizëm. Jetët tona janë publike, por askush nuk ka të drejtë të abuzojë me dinjitetin e njerëzve,” – theksoi Pupa.
Çifti ka bërë të ditur se do ta përballojë situatën me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën, duke u shprehur se jeta e tyre vazhdon normalisht.






